Liga e Kampionëve gjeneron rekorde financiare, ja sa ka fituar PSG-ja
Liga e Kampionëve e këtij sezoni ka ruajtur statusin e saj si kompeticioni më prestigjioz në futbollin evropian, por njëkohësisht edhe si një nga më fitimprurësit, me rreth 2.5 miliardë euro të shpërndara në total për klubet pjesëmarrëse.
Shumat e përfituara varen nga ecuria e skuadrave në garë, me klubet që arrijnë fazat finale që arkëtojnë pjesën më të madhe të shpërblimeve.
Paris Saint-Germain ka rezultuar ndër fituesit më të mëdhenj financiarë të këtij sezoni. Vitin e kaluar klubi francez kishte përfituar rreth 144 milionë euro, ndërsa këtë edicion, para finales, kishte kaluar pragun e 140 milionëve.
Fitorja në finalen ndaj Arsenalit, e vendosur pas penalltive (4-3), i solli PSG-së një bonus prej 6.5 milionë eurosh për mbrojtjen e titullit. Për më tepër, klubi parizien do të përfitojë edhe 4 milionë euro shtesë për pjesëmarrjen në Superkupën e UEFA-s, ku më 12 gusht do të përballet me fituesin e Ligës së Evropës, Aston Villa.
Në total, kampionët e Evropës e kanë çuar përfitimin e tyre nga ky sezon në rreth 149.9 milionë euro, duke vendosur një rekord të ri financiar për klubin.
Nga ana tjetër, Arsenal e ka mbyllur sezonin me 143.2 milionë euro të arkëtuara, një rritje e ndjeshme krahasuar me sezonin e kaluar kur kishte përfituar rreth 117 milionë euro pas eliminimit në gjysmëfinale.
Ndërkohë, Bayern Munich, i eliminuar në gjysmëfinale nga PSG, ka regjistruar të ardhura prej 127.3 milionë eurosh nga ky edicion i Ligës së Kampionëve.
Shifrat konfirmojnë edhe një herë rritjen e vazhdueshme të shpërblimeve në kompeticionin më të madh të klubeve në Evropë, ku suksesi sportiv shoqërohet gjithnjë e më shumë me përfitime të mëdha financiare.