A do të vazhdoj te Milani? Modric flet për të ardhmen e tij

A do të vazhdoj te Milani? Modric flet për të ardhmen e tij

Sport May 23, 2026 - 23:57

Luka Modric ka folur për të ardhmen e tij te AC Milan, ndërsa kontrata aktuale e mesfushorit kroat po i afrohet fundit dhe spekulimet për vazhdimin e karrierës së tij po shtohen gjithnjë e më shumë.

Pavarësisht se ka mbushur 40 vjeç, Modric vazhdon të mbetet një figurë shumë e rëndësishme për trajnerin Massimiliano Allegri, ndërsa përvoja dhe cilësia e tij po konsiderohen ende të vlefshme për skuadrën italiane, transmeton Klankosova.tv.

Kontrata e kroatit skadon në fund të sezonit, megjithëse ekziston mundësia për aktivizimin e një zgjatjeje edhe për një vit tjetër.

Kjo ka bërë që në mediat sportive të qarkullojnë shumë spekulime për të ardhmen e tij, përfshirë mundësinë e rinovimit me Milanin ose një aventure të re në një klub tjetër.

Modric iu bashkua Milanit si lojtar i lirë gjatë verës së vitit 2025, pas përfundimit të një periudhe të jashtëzakonshme me Real Madridin, ku fitoi një numër të madh trofesh dhe u shndërrua në një nga mesfushorët më të suksesshëm të gjeneratës së tij.

Edhe pse shumë futbollistë në këtë moshë mendojnë për pensionimin, kroati vazhdon të tregojë se është ende konkurrues në nivelin më të lartë të futbollit evropian.

I pyetur nga Sportmediaset për planet e tij për sezonin e ardhshëm, Modric u tregua i rezervuar, por njëkohësisht shprehu afeksionin dhe respektin që ka për klubin ku po luan aktualisht.

“Jam shumë i lumtur në Milan, por gjëja më e rëndësishme tani është ndeshja ndaj Cagliarit të dielën dhe kualifikimi në Ligën e Kampionëve”, deklaroi ai.

Mesfushori kroat shtoi se ka marrëdhënie shumë të mira me drejtuesit dhe trajnerin e klubit, ndërsa theksoi se objektivi i tij kryesor që nga ardhja në “San Siro” ka qenë fitimi i trofeve me fanellën kuqezi.

“Kur zgjodha Milanin, ishte për të ndihmuar dhe për të tentuar të fitojmë. Këtë vit kjo nuk ndodhi, por është e qartë se do të doja të fitoja një trofe me Milanin”, u shpreh Modrië.

Në fund, kroati ritheksoi se fokusi i tij aktual mbetet vetëm te ndeshja e radhës dhe objektivat sportive të skuadrës, ndërsa vendimi për të ardhmen do të merret më vonë.