Rahoveci siguron mbijetesën në Superligë, bie Vëllaznimi

Rahoveci siguron mbijetesën në Superligë, bie Vëllaznimi

Sport April 08, 2026 - 21:48

Rahoveci 029 ka arritur fitore jetike në udhëtim ndaj Golden Eagle Ylli, duke siguruar mbetjen në Superligën e Kosovës në basketboll.

Skuadra nga Rahoveci triumfoi pas vazhdimeve me rezultat 89:83, në një ndeshje tejet dramatike që u vendos vetëm pas pesë minutave shtesë. Koha e rregullt përfundoi e barabartë 75:75, ndërsa në vazhdime mysafirët u treguan më të saktë dhe më të vendosur, duke realizuar 14 pikë kundrejt tetë të vendasve.

Ylli e nisi më mirë takimin, duke dominuar çerekun e parë. Pas një pjese të parë të balancuar, Rahoveci 029 reagoi fuqishëm në çerekun e tretë, ku bëri kthesë të madhe me rezultat 33:20. Çereku i katërt ishte plot tension dhe nuk prodhoi fitues, duke çuar ndeshjen në vazhdime.

Në momentet vendimtare, rahovecasit treguan më shumë qetësi dhe efikasitet, duke siguruar një fitore që i garanton pozitën e shtatë dhe mbijetesën në elitë.

Ndërkohë, pavarësisht fitores në xhiron e fundit ndaj KB Peja, KB Vëllaznimi nuk arriti të shmangë rënien nga Superliga, duke përfunduar në vendin e tetë.

Sezonin e rregullt e mbylli në vendin e gjashtë KB Sigal Prishtina, ndërsa Rahoveci 029 përfundoi i shtati.