Kualifikimi i Bosnjës i kushton shtrenjtë yllit të Stuttgartit, do të paguajë birra për 60 mijë tifozë
Fitorja e Bosnjës në playoff-in e Kupës së Botës ndaj Italisë të martën pritet t’i lërë sulmuesit të Stuttgartit, Ermedin Demirovic, me një faturë marramendëse për pije, pasi ai premtoi se do t’u blinte birra tifozëve të klubit nëse vendi i tij kualifikohej për këtë turne.
Sulmuesi 28-vjeçar bëri këtë premtim para kampanjës së Bosnjës në playoff, e cila përfundoi me fitoren e tyre pas penalltive ndaj italianëve në Zenicë.
“E thashë që do ta bëja dhe jam burrë i fjalës. Pijet janë mbi mua”, kishte thënë Demirovic për Sky Sports pas fitores, kur u pyet nëse do të mbante premtimin e tij.“Do të jetë ndoshta e shtrenjtë, por është diçka që do ta bëj me dashuri pas një arritjeje të tillë. Stuttgart, pijet janë mbi mua”.
Bosnja, e cila do të shënojë pjesëmarrjen e dytë në një Botëror, do të luajë në Grupin B gjatë turneut nga 11 qershori deri më 19 korrik, duke u bashkuar me Kanadën, Katarin dhe Zvicrën.Ky gjest mund ta lërë Demirovic me një faturë të konsiderueshme rreth 300,000 euro, duke pasur parasysh se ‘MHPArena’ e Stuttgartit ka një mesatare të frekuentimit pak nën 60,000 tifozë dhe çmimi i një birre është rreth pesë euro.
Stuttgart, i treti në Bundesliga, do të presë të shtunën skuadrën e vendit të dytë, Borussia Dortmund.