Pse nuk u ndërtua deri më tani stadiumi kombëtar?
Ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se gjatë kohës sa ishte në krye të këtij dikasteri, hapi i parë që kishte bërë ishte ideja e fillimit të ndërtimit të stadiumit kombëtar për të mbuluar nevojat sportive të kombëtares dhe klubeve vendore.
“Me marrjen e detyrës në vitin 2017, hapi i parë që kemi ndërmarrë ishte ideja për të nisur ndërtimin e stadiumit kombëtar. Kjo ka qenë një kërkesë e vazhdueshme nga FFK, nga kombëtarja jonë, por edhe nga klubet, duke pasur parasysh se Prishtina ka vetëm një stadium që i plotëson kushtet për ndeshje ndërkombëtare, të cilin e kemi rinovuar gjatë periudhës sa kam qenë ministër i Sportit”, tha fillimisht Gashi.
Ish-ministri tha se stadiumi kombëtar ishte planifikuar të ndërtohej në Korroticë të Epërme të Drenasit, për shkak se kjo hapësirë nuk do t’i kushtonte asgjë buxhetit të Kosovës, por nuk u realizua, siç tha ai, si pasojë e mungesës së vullnetit politik.
“Sa i përket stadiumit kombëtar, ne kemi iniciuar hartimin e studimit të fizibilitetit dhe e kemi përmbyllur atë si proces. Natyrisht, kjo ka marrë kohë, pasi bëhet fjalë për projekte të mëdha dhe ndërkombëtare, të cilat Kosova nuk i kishte realizuar më parë. Po ashtu, kemi siguruar edhe hapësirën ku do të ndërtohej stadiumi në Korroticë të Epërme, një zonë e gjerë që nuk i kishte kushtuar asgjë buxhetit të Kosovës pasi ishte pronë e menaxhuar nga Komuna e Drenasit”.
“Unë mendoj se nuk ka pasur vullnet politik për ta realizuar këtë projekt. Fatkeqësisht, ishte projekt i ministrit Kujtim Gashi, por ai ka qenë projekt i Kosovës”, tha Gashi në Klan Kosova.