Ademi mesazh shtetit: Stadiumi është urgjencë kombëtare
Foto: Laura Hasani

Ademi mesazh shtetit: Stadiumi është urgjencë kombëtare

Sport April 01, 2026 - 12:13

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, sot para dekorimit nga presidentja e vendit ka deklaruar se gjëja e vetme që i nevojitet Kosovës me shpejtësi është një stadium me kapacitet me standarde të FIFA-s.

Ademi bëri të ditur se kërkesës për përcjelljen e ndeshjes Kosovë-Turqi ka qenë i jashtëzakonshëm me rreth 400 mijë kërkesa për blerje të biletave.

“Vetëm një send që na duhet me çdo kusht dhe me një shpejtësi, siç thonë, të dritës së syrit, është një stadium nacional apo një stadium, qysh do ta quajnë, i cili i plotëson kriteret dhe kushtet, sepse jemi shumë të ngushtuar nga popullata jonë, nga tifozët tanë që nuk po mundemi me iu bë vend në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Besoni, kanë qenë më shumë se 300 e sa mijë, rreth 400 mijë kërkesa në platformë për një biletë. Kur i ke parasysh që i heqin disa bileta që janë për evakuim, disa që i takojnë kundërshtarit, ne mbesim diku me pak se 10 mijë bileta për shitje”, tha Ademi.

Kujtojmë që Kosova pësoi humbje mbrëmë nga Kombëtarja e Turqisë, me rezultat minimal 0-1, në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë.