Presidentja Osmani dekoron Kombëtaren e Kosovës me “Medaljen presidenciale të meritave”

Presidentja Osmani dekoron Kombëtaren e Kosovës me “Medaljen presidenciale të meritave”

Sport April 01, 2026 - 10:05

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar Kombëtaren e Kosovës me “Medaljen presidenciale të meritave”, raporton Ekonomia Online.

Osmani tha se, pavarësisht rezultatit të mbrëmshëm të Kosovës në përballjen me Turqinë, Kombëtarja gëzon respekt.

“Pavarësisht rezultatit, ju do të mbeteni në piedestalin më të lartë të Republikës sonë për krenarinë që i keni bërë popullit tonë. Prandaj, në emër të shtetit dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju falënderojmë për gjithçka që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për vendin tonë. Kontributi juaj është pjesë e pandashme e historisë sonë sportive dhe mbi të gjitha frymëzim i fuqishëm për brezat që vijnë. Në bazë të kompetencave të mia kushtetuese si Presidente e Republikës së Kosovës, kam vendosur që Kombëtaren e Republikës në Futboll ta dekoroj me ‘Medaljen presidenciale të meritave’, me motivacionin: Për përfaqësim dinjitoz të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare; Për krenarinë që i kanë dhënë shtetit tonë; Si dhe për arritjen në fazën finale të kualifikimeve për Kampionatin Botëror. Dhe jo vetëm me shpresën, por me besimin e plotë që rruga përpara do të jetë edhe shumë e shumë më e ndritshme. Të nderuar përfaqësues të Kombëtares, duke e ditur që shumica e lojtarëve tashmë janë rikthyer në vendet ku punojnë dhe ku luajnë, jam e nderuar që ju kemi sot si përfaqësues nga institucioni i Presidencës së Republikës së Kosovës që ta pranoni këtë dekoratë në emër të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilëve ju keni dhënë emocione dhe krenari pa fund”, tha Osmani.

Dekorimi për futbollistët e Kosovës është bërë një ditë pas ndeshjes me Turqinë, ku Kosova pësoi humbje me rezultat 0 me 1.

Image