Fisnik Asllani: Nuk më intereson kush është favorit, ashtu ishin edhe Sllovakia dhe Suedia
Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani para ndeshjes finale të ‘play-off’-it me Turqinë tha se Kosova ka marrë vetëbesim me fitoren e madhe në Bratisllavë ndaj Sllovakisë.
Asllani u shpreh se lojtarët e Kosovës do të bëjnë një lojë të mirë ndaj Turqisë duke potencuar se shpreson në kualifikim në Botërorin 2026.
“Fitorja na ka dhënë shumë vetëbesim. Të martën kundër Turqisë shpresoj se do ta bëjmë një lojë shumë të mirë. Shpresojmë që ta fitojmë këtë lojë dhe të shkojmë në Kupën e Botës”.
Sulmuesi i Hoffenheim-it, tha se nuk i intereson për favoritët e para ndeshjes, pasi siç thotë ai favorit kundër Kosovës ishin edhe Sllovakia dhe Suedia.
“Kjo punë për vete nuk më intereson, s’besoj as ekipit që i intereson, në fund shihet në fushë. Favorit ka qenë edhe Sllovakia edhe Suedia, kështu që ne kemi me kry punën tonë, kemi me dhënë maksimumin në fushë”, tha Asllani.