Berat Gjimshiti pas ndeshjes me Poloninë: Të paktën Kosova të na bëjë krenarë
Kombëtarja e Shqipërisë ka pësuar humbje nga Polonia, për ta mbyllur ëndrrën për një vend në Kampionatin Botëror 2026.
“Kuq e Zinjtë” edhe pse ishin në epërsi prej 0-1, nuk arritën ta ruajnë rezultatin me Poloninë, që e përmbysi në 2-1 për t’u kualifikuar në finalen e play-offit.
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ka reaguar pas ndeshjes ndaj Polonisë, duke shprehur zhgënjimin për humbjen e një mundësie historike për kualifikim në Kupën e Botës.
Shqipëria pëson humbje nga Polonia, përfundon ëndrra për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror
Në prononcimin e tij pas takimit, Gjimshiti theksoi se Shqipëria ishte shumë pranë realizimit të ëndrrës së Botërorit, por rezultati final nuk pasqyroi paraqitjen e skuadrës, veçanërisht në pjesën e parë.
"Jemi të gjithë të mërzitur, sepse ishte rasti i fundit besoj që ta çonim Shqipërinë në Botëror. Ishim shumë afër sot. Pjesën e parë luajtëm shumë mirë, ndërsa në pjesën e dytë gjërat nuk shkuan aq mirë. Nuk e meritonim këtë rezultat”, u shpreh fillimisht kapiteni.
“Ata kishin më shumë fizik dhe na mungonin disa lojtarë, që janë më shtatlartë”.
Në fund, Gjimshiti nuk harroi të përmendë edhe fitoren e Kosovës, duke shpresuar që “Dardanët” të vazhdojnë me paraqitje të mira dhe të bëjnë krenarë të gjithë shqiptarët.
“Shpresoj që të na bëjnë të paktën krenar Kosova dhe të fitojë atë ndeshje me Turqinë”.
Në fund Gjimshiti falënderoi edhe tifozët shqiptarë.
“I falënderoj prapë edhe tifozët të cilët kanë ardhë shumë në Poloni, ndoshta i zhgënjyem pak, por shpresoj të jenë gjithmonë prapa nesh”, përfundoi Gjimshiti.