Dy super derbi sot në basketboll
Sport
March 22, 2026 - 10:52
Superliga e Kosovës në basketboll është bërë më interesante se kurrë, ku çdo ndeshje është shumë e rëndësishme.
Sot do të zhvillohet përballja mes Golden Eagle Yllit dhe Trepçës.
Këto dy skuadra ishin ndeshur edhe në çerekfinale të Kupës, ku mitrovicasit eliminuan therandasit.
Ylli është në vendin e katërt me 11 fitore e 13 humbje, kurse kampionët janë liderë me 21 fitore e tri humbje dhe kanë siguruar vendin e parë për garat e rregullta, raporton express.
Java e 25-të do të mbyllet me derbin e rivalëve të vjetër Sigal Prishtinës dhe Bashkimi.
Bardhekaltrit nuk janë në formën më të mirë, ku renditen në vendin e gjashtë me nëntë fitore e 15 humbje, kurse prizrenasit në vendin e dytë me 16 fitore e tetë humbje.