Franco Foda publikon listën, Kosova me mungesa të theksuara
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka bërë publike listën e futbollistëve për ndeshjet vendimtare të ‘play-off’-it drejt Kupës së Botës 2026, ku “Dardanët” synojnë një arritje historike.
Kosova do të luajë fillimisht më 26 mars në Bratisllavë kundër kombëtares se Sllovakisë. Kjo përballje konsiderohet kyçe, pasi një fitore do ta dërgonte ekipin në një ndeshje vendimtare më 31 mars në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, ku kundërshtar mund të jetë kombëtarja e Turqisë ose kombëtarja e Rumanisë.
Lista e shpallur nga Foda vjen me disa mungesa të ndjeshme. Kapiteni Amir Rrahmani nuk do të jetë në dispozicion, një goditje e madhe për repartin defensiv.
Po ashtu, mesfusha do të jetë pa Leon Avdullahun, ndërsa mungon edhe Muharrem Jashari, duke reduktuar alternativat në këtë repart.
Megjithatë, ka edhe zhvillime pozitive. Në ekip rikthehen Florent Hadërgjonaj dhe Vesel Demaku, të cilët pritet të kontribuojnë me përvojën dhe energjinë e tyre në këto përballje të rëndësishme.
Krahas listës kryesore, përzgjedhësi ka përgatitur edhe një listë alternative me lojtarë që mund të thirren në çdo moment në rast nevoje.

Në këtë grup përfshihet edhe Meriton Korenica, i cili po shfaq formë të mirë në Rumani, si dhe emra të tjerë si Bersant Celina, Ron Raçi, Rilind Nivokazi, Bledian Krasniqi, Ismet Lushaku, Leard Sadriu, Kreshnik Krasniqi dhe Faton Maloku.
