Përzgjedhësi i Sllovakisë flet para ndeshjes me Kosovën: Është një ekip i rrezikshëm dhe i papërshtatshëm
Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Sllovakisë, Francesco Calzona, ka publikuar të enjten listën me 27 futbollistë për ndeshjen kundër Kosovës, në kuadër të playoffit për Kupën e Botës 2026.
Në listë janë përfshirë edhe dy lojtarët kryesorë, kapiteni Milan Skriniar dhe mesfushori me përvojë Stanislav Lobotka.
Sllovakia do të përballet me Kosovën në gjysmëfinalen e playoffit më 26 mars, në Stadiumin Nacional në Bratislavë.
Skriniar ishte lënduar në ndeshjen që Fenerbahçe e zhvilloi ndaj Nottingham Forest më 19 shkurt, në kuadër të playoffit të fazës nokaut të Ligës së Evropës.
Që nga ajo kohë ai nuk ka luajtur, megjithatë, ka raportime se ekziston mundësia që ai të paraqitet ndaj Kosovës.
Në dyshim mbetet edhe pjesëmarrja e Stanislav Lobotkës.
“Skriniar po lufton me një dëmtim të rëndë, po bën çmos që të jetë me ne dhe të na ndihmojë të paktën në një ndeshje. Shpresojmë që të jetë në të dyja. Lobotka tashmë po stërvitet me ekipin, por 20 ditë mungesë nuk janë të mira për asnjë lojtar. Ne besojmë se ai do të jetë i gatshëm dhe sa më i përdorshëm të jetë e mundur”, ka thënë Calzona.
Trajneri italian ka mirëpritur edhe rikthimin e mbrojtësit të Mallorcas, Martin Valjent, i cili i bashkohet përfaqësueses pas rreth dy vjetësh e gjysmë mungesë.
Calzona theksoi rëndësinë e kësaj përballjeje në konferencën për media të mbajtur sot (e enjte).
“Ky është një moment historik për vendin tonë. Ne nuk jemi të interesuar për asgjë tjetër përveç futbollit”, u shpreh ai.
Ai gjithashtu pret një atmosferë të zjarrtë në tribuna.
“Një falënderim i madh për shikuesit. Nuk është hera e parë që shiten të gjitha biletat. Ata u rikthyen në stadium, gjë që ishte dëshira ime kur erdha në Sllovaki. Fakti që ata po vijnë në ndeshje tregon se ekipi ka arritur diçka. Shikuesit na kanë ndihmuar në shumicën e rasteve dhe besoj se kështu do të jetë edhe tani”, shtoi Calzona.
Ai e vlerësoi Kosovën si kundërshtar të fortë dhe të papërshtatshëm, duke përmendur edhe mungesën e kapitenit Amir Rrahmani.
Calzona, i cili ka punuar më parë me Rrahmanin te Napoli, tha:
“Humbja e Rrahmanit, i cili luan për Napolin, është e madhe për Kosovën. Megjithatë, ata kanë disa lojtarë cilësorë nga Serie A italiane ose Bundesliga gjermane, dhe vlera e tregut të skuadrës së kundërshtarit është më e lartë se e jona. Është një ekip i rrezikshëm dhe i papërshtatshëm”.
Në fund, ai theksoi pritshmëritë e tij nga skuadra, pavarësisht problemeve me lëndime.
“Gjatë një viti e gjysmë të kaluar, gjithmonë kemi pasur probleme me përbërjen e ekipit, është njësoj edhe tani. Përveç lojtarëve të përmendur tashmë, Haraslin ka edhe probleme të vogla shëndetësore, Leo Sauer është stërvitur me ekipin për dy ditë”.
“Megjithatë, nuk dua të kërkoj justifikim. Lojtarët që janë përfshirë e kanë sjellë ekipin këtu, është meritë e tyre. Do të kërkoj 100 për qind prej tyre dhe besoj se do të japin më të mirën e tyre, ashtu siç kanë bërë në të kaluarën. Pikëpamja ime për ta nuk do të ndryshojë, pavarësisht se si shkojnë këto ndeshje”, përfundoi Calzona. /telegrafi