FFK-ja shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të Elife Sherifit
Federata e Futbollit e Kosovës ka shprehur ngushëllime për ndarjen e hershme nga jeta të gazetares dhe zëdhënëses së Dritës, Elife Sherifi.
Në një telegram ngushëllimi, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka theksuar se lajmi për vdekjen e saj është pritur me pikëllim të thellë nga i gjithë komuniteti i futbollit në vend.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të më të dashurës suaj, Elife Sherifi. Në emrin tim, të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, klubeve dhe të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegram.
Sipas Ademit, Elife Sherifi ishte një profesioniste e dalluar në gazetari dhe një bashkëpunëtore e përkushtuar e Dritës, ku për më shumë se gjashtë vite ka shërbyer si zëdhënëse e klubit.
“Ajo me profesionalizmin dhe punën e saj la gjurmë të veçanta në komunikimin dhe imazhin e klubit, duke fituar respektin dhe vlerësimin e të gjithëve që patën fatin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të”, thuhet më tej.
FFK ka theksuar se kjo humbje e madhe nuk prek vetëm familjen Sherifi dhe klubin, por edhe mbarë komunitetin e futbollit në Kosovë, ndërsa kujtimi për të do të mbetet i përhershëm.
“I lehtë i qoftë dheu i Kosovës”, ka shkruar FFK.