Nis zgjerimi i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, projekt në vlerë mbi 5.7 milionë euro

Nis zgjerimi i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, projekt në vlerë mbi 5.7 milionë euro

Sport March 18, 2026 - 12:31

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Sportit, Blerim Gashani, anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, kryetarin e Federatës së Xhudos, Agron Kuka, dhe kryemjeshtrin e xhudos, Driton Kuka, vunë gur themelin e projektit në vlerë më shumë se 5.7 milionë euro për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.

"Sot, këtu në Pejë, në lagjen e kampionëve të botës, nuk po vendosim vetëm gur themel. Sot po vazhdojmë suksesin e xhudos së Kosovës", theksoi kryeministri Kurti, duke shtuar se xhudoja është suksesi më i madh që Kosova ka ndërtuar si shtet në sport.

Kurti tha se një pjesë e rrugës drejt medaljeve olimpike në “Paris 2024” është ndërtuar në këtë qendër, që ishte përuruar në shtator të vitit 2021.

Image

 

"Me angazhimin e pandalshëm të Federatës së Xhudos për ta ngritur Kosovën edhe më lart, në kuadër të programit 'Kosova, Shtet i Xhudos', sot po nisim këtë investim të ri. Ky projekt përfshin: palestër të re të xhudos me standarde ndërkombëtare; dhe, objekt multifunksional që përfshin akomodim, pishinë, sallë fitnesi dhe restorant", tha Kurti.

Kryeministri Kurti theksoi se investimet në kuadër të programit "Kosova, Shtet i Xhudos", duke përfshirë këtë projekt në vlerë më shumë se 5.7 milionë euro, janë përgjigje ndaj sukseseve dhe rezultateve që xhudoja i ka sjellë Kosovës.

Image

Në palestrën e re, në kuadër të Qendrës Nacionale të Xhudos, do të zhvillohen edhe garat e sporteve luftarake në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030.

Kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, falënderoi kryeministrin dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për këtë investim që u jep të rinjve mundësi për zhvillimin tyre dhe promovimin e vendit. Ndërsa, evokoi kujtime nga koha e okupimit kur në një palestër të vogël private nisi rrugëtimi i vështirë drejt lavdisë dhe medaljeve olimpike.

Image

Krahas falënderimeve e mirënjohjes, kryemjeshtri i xhudos, trajneri Driton Kuka, drejtuar sportistëve tha se "shteti tash po investon shumë seriozisht në ju, e ju duhet t'ia ktheni me punë, përkushtim e rezultate".

Me këtë rast, kryeministri Kurti përshëndeti sportistët nga Ukraina, të cilët po stërviten në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë. Ata e falënderuan kryeministrin Kurti dhe Kosovën për mbështetjen dhe mikpritjen, duke thënë se po ndihen të sigurt dhe sikur në shtëpi.