Formula 1 pritet të anulojë garat në Bahrein dhe Arabinë Saudite
Garat e Formula 1 në Bahrein dhe Arabinë Saudite, të planifikuara për muajin e ardhshëm, pritet të anulohen për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.
Edhe pse ende nuk është marrë një vendim zyrtar për anulimin e tyre, pritet që një vendim i tillë të merret para përfundimit të kësaj fundjave, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Me afrimin e afatit për nisjen e transportimit të pajisjeve dhe materialeve të nevojshme për organizimin e garave, si dhe në mungesë të shenjave për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit me Iranin, organizatorët e kanë vlerësuar situatën si një rrezik të madh për stafin dhe ekipet.
Sipas raportimeve, asnjë garë zëvendësuese nuk pritet të shtohet në kalendar, çka do të thotë se sezoni i këtij viti i Formula 1 do të reduktohet në 22 gara Grand Prix.
Ndërkohë, si Bahreini ashtu edhe Arabia Saudite kanë qenë objekt i sulmeve hakmarrëse nga Irani në territorin e tyre gjatë përshkallëzimit të fundit të tensioneve në rajon.