Bora me fitore të madhe ndaj Rahovecit
Skuadra e Borës ka regjistruar një tjetër fitore me peshë në elitën e basketbollit kosovar, duke triumfuar në udhëtim ndaj Rahovecit 029 me rezultat 85:77.
Ndeshja e zhvilluar sot (e mërkurë) në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec foli kryesisht në favor të mysafirëve, të cilët dominuan në tre çerekët e parë të takimit.
Bora e nisi fuqishëm sfidën, duke fituar periodën e parë 27:21 dhe të dytën 27:22. Epërsia u thellua edhe në çerekun e tretë, që përfundoi 16:11 për skuadrën prishtinase.
Rahoveci 029 reagoi në dhjetë minutat e fundit, duke e fituar çerekun e katërt 23:15, por pa arritur ta përmbysë rezultatin.
Në radhët e Borës u dallua Shaquan Jules me 14 pikë, tetë kërcime dhe dy asistime, ndërsa paraqitje shumë të mirë pati edhe Rrezart Memedi, i cili kontribuoi me 20 pikë, dy kërcime dhe dy asistime.
Te vendasit më efikasi ishte J’von McCormick, që realizoi 27 pikë, gjashtë asistime dhe katër kërcime.
Pas kësaj fitoreje, Bora mban vendin e tretë në tabelë me 34 pikë, duke regjistruar 12 fitore dhe 10 humbje.
Në anën tjetër, Rahoveci 029 renditet në pozitën e tetë, përkatësisht të fundit, me 29 pikë, shtatë fitore dhe 15 disfata.