Barcelona fiton por s’i mjafton, Atletico Madridi kalon në finale të Kupës së Mbretit

Barcelona fiton por s’i mjafton, Atletico Madridi kalon në finale të Kupës së Mbretit

Sport March 03, 2026 - 23:13

Barcelona ka bërë një ndeshje të madhe sonte në “Camp Nou”, mirëpo që nuk qe e mjaftueshme për të kaluar tutje në finalen e Kupës së Mbretit.

Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick e mposhti 3-0 Atletico Madridin sonte, mirëpo nuk arriti të shkojë në finale, pasi madrilenët e kishin fituar ndeshjen e parë 4-0.

Barcelona shënoi dy gola në pjesën e parë, me Marc Bernal që u gjet më së miri në zonën e Atleticos në minutën e 30-të, kur shënoi për 1-0, pas asistimit nga Lamine Yamal.

Në minutën e fundit të pjesës së parë, në kohën shtesë, Raphinha e shënoi golin e dytë nga penalltia, e cila u fitua nga Pedri, pas një depërtimi në zonën e “Los Colchoneros”.

Pas sulmeve të njëpasnjëshme në pjesën e dytë, Barcelona e gjeti edhe golin e tretë, në minutën e 72-të, kur Bernal shënoi prapë, kësaj here për 3-0.

Mirëpo, në 18 minutat e mbetur, plus shtesa, Barça nuk arriti ta gjejë golin e rikthimit, dhe kështu u desh të pajtohej me eliminimin.

Atletico në anën tjetër kualifikohet në finale, dhe do të pres nesër fituesin e përballjes mes Real Sociedadit dhe Athletic Club.