Londra del si alternativë për “Finalissima” Spanjë – Argjentinë

Londra del si alternativë për “Finalissima” Spanjë – Argjentinë

Sport March 03, 2026 - 22:06

Londra po shihet si vendi më i mundshëm për të pritur ndeshjen e “Finalissima” mes Spanjës dhe Argjentinës, pasi dyshimet për zhvillimin e saj në Doha janë shtuar.

Takimi ishte planifikuar më 27 mars në stadiumin "Lusail" në Doha, por është në dyshim pas pezullimit të turneve të futbollit në Katar, pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe raketave të lëshuara nga kjo e fundit si hakmarrje.

Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka theksuar se negociatat janë në zhvillim dhe zgjidhja më e mundshme është të gjendet një vend tjetër nëse Doha nuk mund ta presë ndeshjen.

Stadiumi "Wembley" në Londër ka pritur edicionin e kaluar të “Finalissima” më 2022, por këtë herë më 27 mars aty do të zhvilllohet ndeshja Angli - Uruguaji. Megjithatë, Londra ka edhe stadiume të tjera të përshtatshme për këtë ndeshje, duke e bërë kryeqytetin anglez alternativën më të mundshme.

Çdo ndryshim do të kërkojë miratimin e dy federatave si dhe të UEFA, CONMEBOL e FIFA.