Man Utd përmbys Palacen, Carrick shkruan historinë në "Old Trafford"
Manchester United vazhdon serinë pozitive në Premier League, duke përmbysur Crystal Palace me rezultat 2-1, të shtunën në ‘Old Trafford’.
‘Djajtë e Kuq’ mbeten të pamposhtur në 11 ndeshje kampionale, ndërsa trajneri Michael Carrick u bë i pari që nga Frank O'Farrell në vitin 1971 që fiton pesë ndeshjet e para në shtëpi në krye të United.
Mysafirët befasuan që në minutat e para, kur nga një goditje nga këndi e thellë e Brennan Johnson, mbrojtësi Maxence Lacroix realizoi me kokë për 0-1. Palace ishte pranë golit të dytë me Ismaïla Sarr, por portieri Senne Lammens reagoi në momentin vendimtar.
United rriti presionin para pushimit, me Bruno Fernandes që rrezikoi nga gjuajtja e lirë, ndërsa Casemiro dërgoi topin pranë shtyllës me kokë.
Momenti vendimtar erdhi pas një orë lojë, kur Lacroix ndërhyri në mënyrë të parregullt ndaj Matheus Cunha në zonë. Pas rishikimit me VAR, u akordua penallti dhe mbrojtësi francez u ndëshkua me karton të kuq për mohim të një rasti të pastër shënimi. Fernandes u tregua i saktë nga pika e bardhë për 1-1.
Përmbysja u kompletua pak më vonë, kur sërish Fernandes asistoi me një harkim të saktë për Benjamin Seeko, i cili shënoi me kokë për 2-1, duke realizuar golin e katërt në pesë ndeshjet e fundit.
Në minutat e fundit, portieri Dean Henderson shmangu humbje më të thellë për Palace me pritje ndaj Casemiro dhe Amad Diallo, por United administroi epërsinë dhe siguroi tri pikë që e ngjisin në vendin e tretë në tabelë.
Crystal Palace tashmë e kthen vëmendjen te derbi londinez i mesjavës ndaj Tottenham Hotspur.