Shabani para dy sfidave me Finlandën: Janë ndeshje me peshë të madhe

Shabani para dy sfidave me Finlandën: Janë ndeshje me peshë të madhe

Sport March 01, 2026 - 14:44

Kombëtarja e Kosovës në hendboll, është grumbulluar sot në prag të dy përballjeve shumë të rëndësishme me Finlandën.

Takimi i së enjtes në Vantaa dhe ai i së dielës në Prishtinë i takojnë fazës së dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian të hendbollisteve.

Kosova dhe Finlanda konsiderohen rivale direkte për pozitën e tretë në grup, vend që potencialisht mund të sigurojë pjesëmarrjen në Evropianin e këtij viti.

Selektori i Kosovës, Agron Shabani, e ka vlerësuar lart rëndësinë e këtyre dy sfidave.

“Janë ndeshje me peshë të madhe, duke pasur parasysh se jemi konkurrentë direkt për renditje në grup. Franca dhe Kroacia janë në një nivel tjetër, kështu që rastin tonë e shohim ndaj Finlandës. Ajo nuk është prej kombëtareve më të njohura në Evropë, por ka lojtare që aktivizohen në liga elitare si Suedia dhe Norvegjia”, ka deklaruar Shabani.

Ai ka theksuar se përballja në udhëtim nuk do të jetë aspak e lehtë.

“Kundërshtari është i papërshtatshëm dhe ka shënuar zhvillim të vazhdueshëm vitet e fundit. Megjithatë, pres angazhim maksimal dhe paraqitje me motiv të lartë që nga fillimi”, është shprehur ai.

Shabani është shprehur i kënaqur me rikthimin e Dafina Mustafa, që pritet të udhëheqë repartin defensiv, si dhe me formën e mirë të Yllka Shatri, e cila po paraqitet me sukses në Kroaci. Ai ka theksuar se Melisa Mulaj do ta forcojë fazën sulmuese, sidomos në mungesë të të lënduarave Elisa Mirdita dhe Sara Gjergjaj.

“Kemi edhe disa lojtare të reja që kanë treguar paraqitje solide në grupmoshat e reja. Jemi në kërkim të formacionit më të mirë për t’u përballur me Finlandën me përkushtim maksimal dhe mbrojtje solide. E dimë që është kundërshtare serioze dhe fizikisht shumë e përgatitur, por vajzat tona janë të motivuara. Me disiplinë dhe me përkrahjen e publikut në Prishtinë, besoj se mund të arrijmë rezultat pozitiv. Çdo pikë në këto kualifikime është e artë për ne”, ka përfunduar Shabani./rtk