Kosova, e përkushtuar për organizimin e Lojërave Mesdhetare

Kosova, e përkushtuar për organizimin e Lojërave Mesdhetare

Sport February 27, 2026 - 14:39

Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka pritur sekretarin e përgjithshëm të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, Iakovos Filippousis dhe presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre.

Gjatë takimit u diskutua rreth organizimit të lojërave mesdhetare “Prishtina 2030”, një ngjarje ndërkombëtare që do të promovojë sportin dhe do të rrisë prezencën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

"Palët u fokusuan në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, koordinimin e përpjekjeve mes institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe përgatitjet që do të garantojnë suksesin e kësaj ngjarjeje të madhe", thuhet në njoftim.

Ministri Gashani riafirmoi gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të frytshëm, ndërsa pjesëmarrësit e takimit e uruan për pozicionin e tij dhe konfirmuan përkushtimin për të ndërtuar së bashku një të ardhme të suksesshme për sportin dhe rininë në Kosovë.