Driton Camaj, shqiptari që po shkëlqen në Superligën e Serbisë
Një shqiptar po spikat në Superligën e Serbisë: bëhet fjalë për Driton Camajn, që po shkëlqen me Novi Pazarin.
Futbollisti shqiptar nga Malësia u transferua më 19 janar dhe firmosi kontratë të vlefshme deri në verë, por ndikimi i tij u ndje menjëherë.
Camaj nisi me dy gola më 1 shkurt në barazimin 2:2 me Spartak Subotica. Ai nuk realizoi ndaj Crvena Zvezda, por më pas shënoi gol në fitoren 2:1 ndaj OFK Beograd dhe të shtunën shkëlqeu me dy supergola në triumfin 3:0 ndaj Vojvodina në Novi Sad.
Camaj ka 28 paraqitje dhe dy gola për Malin e Zi dhe ka një karrierë të pasur klubore: ka luajtur për Buduqnost Podgorica, Inter Zapreshiq, Deçiq Tuzi, Lovqen Cetinje, Iskra Danilovgrad, për pesë vjet te Kisvarda, më pas për Kecskemet dhe së fundi tek Astana në Kazakistan.

Tani Camaj mban fanellën me numrin 10 te Novi Pazari dhe luan si sulmues krahu. Klubi është aktualisht në vendin e katërt në Superligë, pas Crvena Zvezdës, Partizanit të Beogradit dhe Vojvodinës.
Futbollistët shqiptarë luajnë rrallë në kampionatin serb, kryesisht për shkak të tensioneve historike, por te Novi Pazari Camaj ka gjetur një ambient mikpritës dhe mbështetje të madhe nga tifozët. Një grup i tyre e ndoqi skuadrën edhe në Novi Sad, ndërsa qindra të tjerë e pritën ekipin në mesnatën mes të shtunës dhe të dielës pas kthimit në qytet.

Novi Pazar është një qytet që gjithmonë ka pasur shumë shqiptarë dhe Camaj është pritur shumë mirë te ky klub.
“Jam shumë i kënaqur. Nga fillimi kam ndier se sa shumë njerëzit në klub më duan. Fillimi është i ëndrrave, nuk mund të kisha pritur më mirë. Do të mundohem të vazhdoj në këtë ritëm për sa kohë të jetë e mundur”, tha Camaj për mediat e Malit të Zi.
28-vjeçari foli edhe për atmosferën në Novi Pazar.
“Është fenomenale. Nga njerëzit e klubit, te qytetarët dhe tifozët, të gjithë frymojnë si një. Kur janë ndeshjet, është festë. Më duket se koha ndalet. Kam përjetuar emocione të jashtëzakonshme dhe jam shumë i kënaqur me gjithçka që kam parë", tha Camaj.

Shpeshherë tifozët e zjarrtë të Novi Pazarit kanë bërë edhe thirrje pro Kosovës dhe kundër Serbisë, duke treguar se pasioni i tyre për futboll shkon përtej fushës. /Telegrafi