“Kualifikimi i vështirë, por assesi i pamundur”, Zekirija Ramadani deklarohet para ndeshjes ndaj Celjes
Drita është gati për sfidën vendimtare ndaj Celjes në kuadër të fazës së “play-off”-it në Ligën e Konferencës, e cila do të luhet nesër (e enjte) me fillim nga ora 21:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Para kësaj përballjeje të rëndësishme evropiane, trajneri i skuadrës gjilanase, Zekirija Ramadani, ka dalë në konferencë për shtyp ku ka folur për përgatitjet e ekipit, rëndësinë e lojës kolektive dhe besimin që ka te futbollistët e tij pavarësisht mungesave.
Ramadani theksoi se suksesi i Dritës varet nga identiteti dhe forca e grupit, duke nënvizuar se ekipi duhet të qëndrojë i bashkuar dhe të japë maksimumin në fushë përballë një kundërshtari cilësor si Celje.
“Drita duhet të mos dalë nga identiteti i vet. Gjithmonë ne kemi përballë vetes motivim dhe objektivin që e kemi si ekip. Gjithmonë kur kemi funksionuar në aspektin kolektiv, kemi dalë të suksesshëm. Nuk jemi mbështetur në individualitetin e ndonjërit, por në kolektiv”.
“Pas ndeshjes me Drenicën ku janë vetëm tre ditë, kemi folur me futbollistët, kemi bërë analizë, ju kam thënë që nëse mbështetemi te grupi, do t’ia vështirësojmë punët kundërshtarit. Duhet të mbështetemi te njëri-tjetri në fushë. Duhet ta japim maksimumin”.
“Ne jemi këtu ku shumë skuadra ëndërrojnë të jenë. Edhe nëse vjen humbja, duhet të humbim me kokën lartë, duhet të mos dalim si frikacakë”, ka thënë fillimisht Ramadani.
Trajneri foli edhe për analizën e kundërshtarit, duke theksuar se ekipi është përgatitur në të gjitha aspektet dhe se kualifikimi, ndonëse i vështirë, nuk është i pamundur.
“Aq sa dimë dhe mundemi i kemi marrë masat, jemi përgatitur fizikisht, psikologjikisht, dhe në aspektin taktik. Si futbollist kam qenë 5-6 vite në fazën përgatitore në Slloveni. Sllovenët janë të ftohtë”.
“I kam parë pesë ndeshjet e fundit, dy kanë qenë me ish-trajnerin dhe tri me trajnerin aktual. Nuk ka ndryshime, luhet i njëjti stil i lojës”.
“Jemi munduar t’i nxjerrim disa pika të forta e të dobëta. Do të mbrohemi nga të gjithë ekipi i Celjes. Jemi munduar ta përgatitim ekipin dhe do të jetë e vështirë, por assesi i pamundur kualifikimi. Duhet ta shfrytëzojmë terrenin vendas”.
“Shpresoj të kemi tifozë dhe ta shfrytëzojmë terrenin si nikoqir. Uroj të shkojmë me epërsi qoftë edhe minimale. Mesa, Manaj dhe Broja mungojnë, por te të tjerët kam besim dhe besoj se nuk do të vërehet mungesa”, ka deklaruar Ramadani të mërkurën në konferencën për shtyp.