Hansi Flick kërkon këndellje nga Barcelona pas humbjes së thellë nga Atletico Madrid

Hansi Flick kërkon këndellje nga Barcelona pas humbjes së thellë nga Atletico Madrid

Sport February 15, 2026 - 22:06

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, i ka bërë thirrje skuadrës së tij që të tregojë “reagim” në përballjen ndaj Girona në La Liga, pas humbjes së thellë 4-0 nga Atletico Madrid në Kupën e Mbretit.

Gjigantët katalunas u dominuan nga skuadra e drejtuar nga Diego Simeone në ndeshjen e parë gjysmëfinale, por Flick beson se qëndrimi i ekipit të tij është përmirësuar në ditët pas asaj disfate.

“Atletico ishte gati për këtë luftë, ishte një ndeshje e nivelit të Ligës së Kampionëve dhe 45 minutat e para nuk ishin në nivelin e duhur”.

“Nuk kishim qëndrimin e duhur për të qenë konkurrues në këtë situatë, në çdo duel, në çdo situatë një kundër një, ata ishin shumë më të mirë, më dinamikë – kjo është ajo që dua nga skuadra”.

“Sot në stërvitje e vlerësova atë që pashë dhe duhet ta sjellim këtë nesër në fushë”.

Ndërkohë, Real Madrid mposhti Real Sociedad për t’u shkëputur me dy pikë në krye të tabelës, përpara kampionëve në fuqi, Barcelonës.

Flick e mbështeti cilësinë e skuadrës së tij, duke theksuar se reagimi pas një humbjeje të tillë është thelbësor.

“Mund të ndodhë që të humbësh kundër Atleticos, një skuadre të madhe, tani duhet të vazhdojmë përpara. Duhet të fokusohemi deri në fund të sezonit, rruga është e gjatë, por gjithçka është e mundur”.

“Kur luajmë si ekip, kur të gjithë japin 100 për qind, kemi cilësi të jashtëzakonshme. Humbjet ndodhin, por e rëndësishme është si reagon. Këtë reagim dua ta shoh neser".