Prishtina deklason Llapin në “Fadil Vokrri”
Prishtina ka arritur fitore bindëse 4-1 ndaj Llapit, në kuadër të javës së 20-të të Superliga e Kosovës, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Mysafirët e nisën më mirë takimin dhe kaluan të parët në epërsi. Ish-sulmuesi i ardhur nga KF Shkëndija, Fiton Ademi, realizoi me një goditje akrobatike në minutën e 7-të për 0-1.
Prishtina reagoi dhe arriti të barazojë në minutën e 35-të me Valmir Veliun, i cili konkretizoi për 1-1. Vetëm pak minuta më pas, kryeqytetasit përmbysën gjithçka: Mario Ilievski shënoi nga afërsia pas një tollovie në zonë, duke çuar shifrat në 2-1 në fund të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, Llapi kërkoi golin e barazimit, por Prishtina u tregua shumë efikase në kundërsulm. Në minutën e 70-të, Veliu realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për skuadrën e tij, pas asistimit të Albin Krasniqit, për 3-1.
Vetëm tre minuta më vonë, Ilievski shënoi edhe golin e dytë personal, këtë herë pas një pasimi të bukur nga Ramiz Bytyqi, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-1.
Pas kësaj fitore, Prishtina ngjitet në kuotën e 36 pikëve, aq sa ka edhe FC Ballkani në krye të tabelës, kurse, Llapi mbetet në vendin e shtatë me 22 pikë.