UEFA publikon orarin e ndeshjeve të Kosovës në Ligën e Kombeve
UEFA ka publikuar të premten orarin zyrtar të ndeshjeve për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, ku Kosova tashmë ka mësuar kalendarin e plotë të përballjeve në grup.
“Dardanët” do ta nisin fushatën më 24 shtator me një ndeshje në shtëpi ndaj Republikës së Irlandës, në një përballje që pritet të jetë vendimtare për tonin e fillimit të garës.
Vetëm tri ditë më vonë, më 27 shtator, Kosova do të udhëtojë për t’u përballur me Austrinë.
Muaji tetor sjell dy sfida të tjera të rëndësishme. Më 1 tetor zhvillohet takimi Izrael – Kosovë, ndërsa më 4 tetor, të besuarit e Franco Fodës rikthehen në shtëpi për përballjen Kosovë – Austri.
Dy ndeshjet e fundit të fazës në grupe do të luhen në muajin nëntor.
Më 14 nëntor Kosova pret Izraelin, ndërsa më 17 nëntor e mbyll ciklin me transfertën ndaj Irlandës.
Me një kalendar të ngjeshur dhe përballje sfiduese brenda pak javësh, kombëtarja e Kosovës do të synojë paraqitje sa më pozitive për të arritur objektivat në këtë edicion të Ligës së Kombeve.