Barcelona fiton pastër ndaj Oviedo
Barcelona ka shënuar fitore me rezultat 3-0 ndaj Real Oviedo në kuadër të LaLiga, duke vazhduar formën e mirë në ndeshjet në shtëpi.
Kjo është fitorja e tetë këtë sezon në “Camp Nou” me dy ose më shumë gola diferencë për katalanasit.
Pjesa e parë nuk ka qenë bindëse për Barcelonën.
Real Oviedo, që ndodhet në fund të tabelës, ka pasur më shumë posedim dhe ka krijuar disa raste në minutat e para.
Mbrojtësi Eric García është dalluar duke shpëtuar skuadrën vendase, ndërsa treshja sulmuese Raphinha, Lewandowski dhe Lamine Yamal është dukur e lodhur. Rasti më i mirë para pushimit ka ardhur në minutat shtesë, kur goditja e Raphinhas është pritur nga portieri Aaron Escandell.
Në pjesën e dytë, Barcelona është shfaqur shumë më kërkuese. Dani Olmo e ka hapur rezultatin në minutën e pesëdhjetë e dytë me një goditje të saktë. Vetëm pak minuta më vonë, Raphinha ka përfituar nga një gabim në mbrojtjen dhe ka shënuar për 2-0. Golin e tretë dhe më të bukurin e ndeshjes e ka realizuar Lamine Yamal me një gjuajtje spektakolare, duke vulosur fitoren e Barcelonës.
Me këtë fitore, Barcelona rikthehet në krye të tabelës së LaLigës. Ndërkohë, Real Oviedo mbetet në fund të renditjes, pa fitore në katërmbëdhjet ndeshjet e fundit.Rtk