Vlera Qerimi e pesta në Premier League në Stamboll

Vlera Qerimi e pesta në Premier League në Stamboll

Sport January 25, 2026 - 15:59

Federata e Karatesë e Kosovës ka njoftuar se karateistja Vlera Qerimi, ka arritur të renditet në vendin e pestë në garën Premier League të mbajtur në Stamboll.

Sipas njoftimit në Facebook, Qerimi pati paraqitje shumë të mirë gjatë gjithë garës, duke dominuar fazën e grupeve dhe duke u renditur e para në grupin e saj.

Në çerekfinale, ajo shënoi fitore bindëse me rezultat 8:0, duke konfirmuar formën e lartë dhe konkurrueshmërinë në arenën ndërkombëtare.

Në gjysmëfinale, FKK tha se karateistja kosovare u përball me sportisten egjiptiane Handy Handir, ku pas një dueli të fortë u ndal ngushtë me rezultat 3:2.

Ndërkohë, në ndeshjen për medaljen e bronztë, Qerimi u mposht nga rusja Aleksandra Meshkova me rezultat 2:0, duke e përmbyllur garën në vendin e pestë.

Sipas Federatës së Karatesë së Kosovës, kjo paraqet arritjen më të madhe individuale në karrierën e Vlera Qerimit, si dëshmi e punës, sakrificës dhe përkushtimit të saj ndër vite.

Në këtë garë, “edhe karateistja tjetër kosovare, Fortesa, pati paraqitje dinjitoze, por nuk arriti të kalojë fazën e grupeve”, thuhet në njoftim.