Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj do të përfaqësojnë Kosovën në lojërat olimpike dimërore “Milano Cortina 2026”
Skitarët, Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj, do ta përfaqësojnë Kosovën në lojërat olimpike dimërore “Milano Cortina 2026”, duke siguruar pjesëmarrjen e vendit në arenën më të madhe të sporteve dimërore.
Komiteti Olimpik i Kosovës ka njoftuar se Kiana Kryeziu ka përmbushur kriteret bazë të kualifikimit në tri disiplina të skijimit alpin: sllallom, sllallom të madh dhe super sllallom të madh, disiplina në të cilat ajo do të garojë në Milano Cortina. Kryeziu ka përvojë olimpike, pasi ka përfaqësuar Kosovën edhe në lojërat olimpike dimërore “Pekin 2022”.
Ndërkohë, Drin Kokaj ka siguruar kualifikimin për të përfaqësuar Kosovën në disiplinën e sllallomit, duke shënuar kështu paraqitjen e tij të parë olimpike në karrierë, transmeton Zeri.info.
Në garë për kualifikim ishin edhe Lirika Deva, e cila përmbushi kriteret në sllallom dhe sllallom të madh, si dhe Vokshi në sllallom të madh.
Sipas rregullave olimpike, Kosova mund të përfaqësohet me nga një garues për secilën gjini. Në këtë kontekst, Kryeziu u përzgjodh për shkak të kualifikimit në më shumë disiplina, ndërsa Kokaj u kualifikua falë pikëve më të ulëta krahasuar me Vokshin në disiplinën e sllallomit.
Lojërat olimpike dimërore “Milano Cortina 2026” do të mbahen nga 6 deri më 22 shkurt 2026. /Zëri