“Do të vdisja për këtë fanellë”, Taulant Xhaka flet pa filtra për periudhën me kombëtaren shqiptare

“Do të vdisja për këtë fanellë”, Taulant Xhaka flet pa filtra për periudhën me kombëtaren shqiptare

Sport January 17, 2026 - 13:12

Federata Shqiptare e Futbollit hap një kapitull të ri komunikimi me publikun, duke sjellë në qendër të vëmendjes zërat që kanë shkruar historinë e fanellës kuqezi. Duke nisur nga kjo e shtunë, FSHF prezanton rubrikën e re “Legjendat Flasin”, një seri ekskluzive rrëfimesh nga ish-futbollistë që kanë nderuar Shqipërinë në momentet më të forta të saj.

I ftuari i parë nuk mund të ishte askush tjetër veçse ish-mesfushori kuqezi, Taulant Xhaka. Një emër i lidhur fort me karakterin, shpirtin luftarak dhe identitetin e Kombëtares. Nga debutimi historik kundër Portugalisë, te emocionet që zgjon sot fanella kuqezi, analiza për Kombëtaren aktuale, besimi te play-off-et dhe mesazhi i drejtpërdrejtë për tifozët, Xhaka flet pa filtra dhe me zemër.

Një rrëfim për fanellën, përgjegjësinë dhe krenarinë për të përfaqësuar Shqipërinë.

 Kombëtarja e Taulantit

 – Taulant, kur e shikon sot fanellën kuqezi. Çfare ndjen realisht? Jo si futbollist, por si njeri.

Jam fans i Shqipërisë, i skuadrës. Nder dhe besoj që është fanella më e bukur në botë.

– A ka debutim më të bukur se ai i yti, kundër Portugalisë me fitore? Si e kujton atë ndeshje, na i përshkruan dot emocionet?

Me shumë emocione, ka qenë debutimi im me Kombëtaren me fitore. Ka qenë si ëndërr, nuk e kam kuptuar shumë por pas fitores, e kam kuptuar dhe e gjithë familja ka qenë krenare me mua.

– A ke një moment me Kombëtaren që nuk e ke treguar kurrë?

Jo nuk ka pasur momente specifike. Të lumtura kam pasur shumë ,të trishtuar për ndeshjen kundër Serbisë.

– Ti ke qenë gjithmonë një lojtar i karakterit të fortë. Çfare sakrifice personale ke bërë për Kombëtaren që pak e dinë?

S’kam bërë sakrifica të madhe por gjithmonë e kam dhënë maksimumin. Kisha vdekur për këtë fanellë.

– Çfarë do të thotë për ty të mbash peshën e përgjegjësisë në fushë, sidomos në ndeshje vendimtare?

Normal që ke përgjegjësi shumë, duhet të jesh lider dhe duhet t’i mbash lojtarët e rinj afër vetes.

Kombëtarja aktuale dhe play-off-i

– Si e sheh Kombëtaren sot, krahasuar me vitet kur ti ishe pjesë aktive e saj?

Kanë ecur shumë përpara. Janë lojtarë shumë të rinj, me shumë talent. Është shumë më mirë tani se përpara.

– A shikon ndonjë lojtar të Kombëtares aktuale që ju ngjan juve?

Qazim Laçi. Ka edhe numrin tim, 14 siç e kam pasur unë kur kam qenë pjesë e Kombëtares.

– A mendon se ky grup ka mentalitetin e duhur për të përballuar presionin e play-off-eve?

Po absolutisht. Çdo lojtar luan në ekipet e tyre, kanë kualitet. Besoj që mund t’ia dalin.

Tifozët  

– Sa e rëndësishme është mbështetja e tifozëve shqiptarë në momente kyçe dhe çfare mesazhi ke për ta sot?

Tifozët janë shumë të rëndësishëm se na kanë përkrahur gjithmonë. Janë lojtari i 12-të për ne.

Mesazhet e Taulantit

– Taulant Xhaka në një fjali për Shqipërinë dhe fanellën kuqezi.

Është nder dhe krenari.

– Nëse sot do ishe në dhomën e zhveshjes para ndeshjes së parë kundër Polonisë në fazën play-off, çfarë do t’i thoje ekipit?

Jepni maksimumin. Luani si gjithmonë me zemër dhe fitorja vjen automatikisht.