KF Shkëndija zyrtarizon transferimin e Drilon Islamit
Mesfushori kosovar Drilon Islami tashmë edhe zyrtarisht është transferuar te klubi shqiptar, KF Shkëndija.
Klubi nga Tetova, përmes një njoftimi, ka zyrtarizuar Islamin, i cili iu bashkua Shkëndijës pas shkëputjes së kontratës me Kluzhin e Rumanisë.
“KF Shkëndija njofton me kënaqësi angazhimin e mesfushorit defanziv, Drilon Islami. 25-vjeçari vjen në Tetovë pas shkëputjes së kontratës me Kluzhin e Rumanisë. Futbollisti kosovar, i cili shkëlqeu më parë me Prishtinën në elitën kosovare, ka kaluar me sukses ekzaminimet mjekësore dhe menjëherë pas kësaj ka firmosur kontratën që e lidh me Shkëndijën për 2.5 vitet e ardhshme”, thuhet në njoftimin e klubit tetovar.
Drilon Islami ka filluar karrierën e tij profesioniste te Ferizaji, klubi i qytetit të lindjes, ndërsa më vonë ka luajtur edhe për Dritën e Gjilanit dhe Prishtinën, ku ka qenë edhe kapiten i skuadrës.