Tragjedia në Zvicër, futbollisti i Metzit u hodh në flakë për ta shpëtuar të dashurën

Tragjedia në Zvicër, futbollisti i Metzit u hodh në flakë për ta shpëtuar të dashurën

Sport January 05, 2026 - 08:58

Në tragjedinë që ndodhi në Zvicër, ku si pasojë e një zjarri në një lokal humbën jetën 40 persona, edhe një histori heroizmi.

Tahirys Dos Santos, futbollisti 19-vjeçar i skuadrës franceze Metz, është kthyer sërish mes flakëve për të nxjerrë jashtë të dashurën e tij që kishte mbetur e bllokuar.

Zjarri shpërtheu papritur në katin e parë të lokalit ku po festonin dhjetëra të rinj, mes tyre edhe çifti.

Dos Santos arriti të dilte me shpejtësi, por sapo u gjend jashtë, vuri re se e dashura e tij nuk e kishte ndjekur dot. Pa u menduar dy herë, ai u fut sërish brenda në godinën që po digjej.

“Ai u kthye brenda për ta nxjerrë nga flakët. Përveçse është një viktimë e këtij zjarri, Tahirys është mbi të gjitha një hero", tha agjenti i tij, Christophe Hutteau.

Për fat të keq, akti i tij i guximshëm i ka kushtuar shumë fizikisht. Futbollisti ka pësuar djegie në rreth 30% të trupit, kryesisht në pjesën e pasme të qafës dhe në trup.

Mjekët thonë se 4-5 ditët e para janë vendimtare për të parë nëse plagët do të marrin infeksion.

“Tahirys po vuan shumë nga dhimbjet”, shtoi agjenti i tij, duke konfirmuar se djaloshi ndodhet nën kujdes intensiv.

19-vjeçari konsiderohet si një nga talentet më premtues të klubit Metz në Francë. Ai luan si mbrojtës i majtë dhe, pavarësisht moshës së re, është ftuar disa herë të stërvitet dhe të luajë me ekipin e parë në Ligue 1.

Tani, karriera e tij sportive mbetet në pritje, ndërsa vëmendja e të gjithëve është te shërimi i tij.