Dhjetë pilotët më të paguar të Formula 1 në vitin 2025

Dhjetë pilotët më të paguar të Formula 1 në vitin 2025

Sport January 01, 2026 - 19:29

Max Verstappen mund ta ketë humbur titullin e Kampionit të Botës për pilotë këtë sezon për një diferencë minimale, por për të katërtin vit radhazi ai kryeson listën e pilotëve më të paguar në Formula 1.

Gjashtë nga dhjetë skuadrat pjesëmarrëse janë të përfaqësuara në TOP 10-shen e fitimeve për vitin 2025, bazuar në paga dhe bonuse.

Të dhënat janë raportuar nga Forbes, ndërsa të ardhurat nga sponsorët nuk janë përfshirë.

Ja renditja e plotë, duke nisur nga i vetmi “rookie” në listë.

10. Kimi Antonelli

Pagë: 4.6 milionë € | Bonuse: 6.9 milionë € | Totali: 11.5 milionë €

I vetmi debutues në listë, Kimi Antonelli mori një detyrë të vështirë nga Toto Wolff, duke zëvendësuar Lewis Hamilton te Mercedes.

Italiani pati një sezon solid, me podiumin e parë (P3 në Kanada), shumë rezultate në TOP 10 dhe një vend të dytë në Brazil. Në moshën 19-vjeçare, ai u bë debutuesi me më së shumti pikë në histori dhe e mbylli kampionatin në vendin e 7-të.

9. Carlos Sainz Jr

Pagë: 9.2 milionë € | Bonuse: 2.8 milionë € | Totali: 12 milionë €

Pas largimit nga Ferrari, Sainz iu bashkua Williamsit me dëshirën për të dëshmuar veten.

Fillimi ishte i vështirë, me aksident në Australi dhe shumë probleme teknike, por spanjolli shkëlqeu në gjysmën e dytë të sezonit, duke siguruar dy podiume (Azerbajxhan dhe Katar) dhe vendin e 9-të në renditje.

8. Lance Stroll

Pagë: 11 milionë € | Bonuse: 1.4 milionë € | Totali: 12.4 milionë €

Një sezon zhgënjyes për kanadezin, i cili përfundoi vetëm i 16-ti në kampionat.

Vetëm gjashtë herë në TOP 10, me rezultatin më të mirë vendin e 6-të në Australi. Pavarësisht formës, ai do të vazhdojë me Aston Martin pas rinovimit të kontratës.

7. George Russell

Pagë: 13.8 milionë € | Bonuse: 10.1 milionë € | Totali: 23.9 milionë €

Në sezonin e tij të parë si piloti kryesor te Mercedes, Russell ishte konstant dhe efikas.

Ai fitoi në Kanada dhe Singapor, siguroi 9 podiume dhe e mbylli kampionatin në vendin e 4-t, pavarësisht mungesës së ritmit krahasuar me Red Bull dhe McLaren.

6. Fernando Alonso

Pagë: 22.1 milionë € | Bonuse: 2.3 milionë € | Totali: 24.4 milionë €

Alonso kërkon ta mbyllë karrierën me dinjitet, por makina nuk e ndihmoi.

Fillimi i sezonit ishte i dobët, por spanjolli u përmirësua në gjysmën e dytë dhe e mbylli kampionatin në vendin e 12-të. E ardhmja e tij pas 2026 mbetet e pasigurt.

5. Charles Leclerc

Pagë: 27.6 milionë € | Bonuse: 0 € | Totali: 27.6 milionë €

I konsideruar si kampion bote në pritje, Leclerc vuajti nga mungesa e konkurrueshmërisë së Ferrarit.

Megjithatë, ai arriti 7 podiume dhe përfundoi i pesti në renditjen përfundimtare.

4. Oscar Piastri

Pagë: 9.2 milionë € | Bonuse: 25.3 milionë € | Totali: 34.5 milionë €

Piastri luftoi deri në fund për titull me shokun e skuadrës Lando Norris.

Edhe pse humbi avantazhin prej 34 pikësh, australiani fitoi 7 gara dhe tregoi se është gati për titullin në të ardhmen.

3. Lando Norris

Pagë: 16.6 milionë € | Bonuse: 36.3 milionë € | Totali: 52.9 milionë €

Kampioni i Botës për vitin 2025.

Norris shpërtheu në pjesën e dytë të sezonit, me fitore në Hungari, Meksikë dhe Brazil, duke u bërë kampioni i parë i McLarenit që nga Hamilton në 2008.

2. Lewis Hamilton

Pagë: 64.4 milionë € | Bonuse: 0.5 milionë € | Totali: 64.9 milionë €

Sezoni i parë te Ferrari ishte zhgënjyes për Hamiltonin.

Pa podiume dhe vetëm një fitore Sprinti, britaniku shpreson që rregullat e reja të vitit 2026 ta rikthejnë në krye.

1. Max Verstappen

Pagë: 59.8 milionë € | Bonuse: 10.1 milionë € | Totali: 69.9 milionë €

Edhe pse nuk fitoi titullin, Verstappen mbetet piloti më i paguar në Formula 1.

Me tetë fitore dhe një rikthim spektakolar në fund të sezonit, holandezi e mbylli kampionatin vetëm dy pikë larg titullit, duke treguar pse është katër herë kampion bote radhazi. /telegrafi