Allegri pas fitores 3-0 ndaj Veronës: Ka ende vend për përmirësim, titulli kërkon 82-84 pikë

Allegri pas fitores 3-0 ndaj Veronës: Ka ende vend për përmirësim, titulli kërkon 82-84 pikë

Sport December 28, 2025 - 16:29

Massimiliano Allegri ka pranuar se Milani ka ende shumë hapësirë për t’u rritur, pavarësisht fitores bindëse 3-0 ndaj Hellas Veronës në “San Siro”, ndërsa parashikoi se këtë sezon do të nevojiten mes 82 dhe 84 pikë për të fituar titullin e Serie A.

Kuqezinjtë u ngjitën përkohësisht në krye të renditjes falë golit të Christian Pulisic dhe dopietës së Christopher Nkunku, por trajneri italian nuk u shfaq plotësisht i kënaqur me paraqitjen e pjesës së parë. Sipas Allegrit, skuadra ishte tepër konservatore dhe krijoi pak raste të pastra, përpara se të tregonte një fytyrë më të mirë në fraksionin e dytë.

Trajneri vlerësoi veçanërisht Nkunku, i cili shënoi golat e parë në Serie A pas disa ndeshjesh pritje: “Ai është një djalë i mirë që dëshiron të bëjë mirë. Goli dhe penalltia janë pjesë e ADN-së së tij. Mund të vazhdojë të përmirësohet, si gjithë të tjerët”, u shpreh Allegri për DAZN-in.

Duke folur për garën e hapur për titullin, ku pesë skuadra ndahen nga vetëm pak pikë, Allegri theksoi se çdo ndeshje do të jetë vendimtare: “Sa më shumë të zgjasë sezoni, aq më e vështirë bëhet. Na pret një muaj shumë i ngarkuar dhe kemi nevojë për të gjithë lojtarët”.

Në fund, trajneri i Milanit nënvizoi objektivin kryesor të skuadrës: rikthimin në Champions League sezonin e ardhshëm, ndërsa shtoi se edhe Leao dhe Pulisic nuk janë ende në formën e tyre më të mirë. “Duhet të rritemi dhe të jemi konstantë. Vetëm kështu mund të konkurrojmë deri në fund”, përfundoi Allegri.