Spalletti për Zhegrovën: Sheh lojën ndryshe, sikur të kishte syze 3D

Spalletti për Zhegrovën: Sheh lojën ndryshe, sikur të kishte syze 3D

Sport December 28, 2025 - 12:56

Juventusi u largua me tri pikë të arta nga transferta ndaj Pisas, por trajneri Luciano Spalletti nuk e fshehu faktin se fitorja 2-0 erdhi pas shumë vështirësish. Bardhezinjtë vuajtën presionin e vendasve për pjesën më të madhe të ndeshjes, përpara se të gjenin zgjidhjen në minutat e fundit.

“Ne nuk ishim në nivelin e duhur për 90 minuta” tha Spalletti pas ndeshjes. “Ritmi ishte i ngadaltë dhe sidomos në fund të pjesës së parë dhe në fillim të së dytës, Pisa na vuri realisht në vështirësi”, theksoi.

Momentet kyçe erdhën pas ndryshimeve në pjesën e dytë. Hyrja e Edon Zhegrovas ndryshoi fytyrën e lojës, duke i dhënë më shumë fantazi dhe thellësi sulmit juventin.

“Zhegrova kishte kaluar grip me temperaturë të lartë dhe nuk e dinim sa do të rezistonte fizikisht” zbuloi trajneri. “Por duhej të rrezikonim, sepse ai është një lojtar që merr iniciativa dhe krijon hapësira kur ekipi ka nevojë”, tha ai.

Spalletti nuk i kurseu lëvdatat për anësorin kosovar, duke veçuar aftësinë e tij në duelet një kundër një dhe leximin e lojës.

“Driblimi i tij në cep të zonës është diçka që pak lojtarë e kan. Kur është në fushë, duket sikur luan me syze 3D. Sheh hapësira që të tjerët nuk i shohin”, tha ai.

Trajneri vlerësoi edhe kontributin e Fabio Mirettit nga stoli, si dhe progresin e Khephren Thuram, ndërsa u tregua më kritik për disa elementë taktikë, përfshirë paraqitjen e Teun Koopmeiners.

Me këtë sukses, Juventusi regjistroi fitoren e shtatë në tetë ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, duke mbetur seriozisht në garë për titull, edhe pse renditja mbetet e paqartë për shkak të ndeshjeve të shtyra nga Superkupa Italiane.