Ronaldo reagon pasi Mbappe ia barazoi rekordin e famshëm te Real Madridi

Ronaldo reagon pasi Mbappe ia barazoi rekordin e famshëm te Real Madridi

Sport December 21, 2025 - 16:23

Cristiano Ronaldo nuk nguroi ta lavdërojë Kylian Mbappe pas paraqitjes së jashtëzakonshme të francezit, i cili barazoi rekordin e tij historik për numrin më të madh të golave të shënuar në një vit kalendarik me fanellën e Real Madridit.

Mbappe hyri në përballjen e së shtunës ndaj Sevillas duke pasur nevojë vetëm për një gol për të arritur kuotën e 59 golave për Madridin gjatë vitit 2025, shifër kjo që përkon me rekordin absolut të Ronaldos dhe njëkohësisht numrin më të lartë të golave të shënuar nga një lojtar i vetëm në një vit në historinë e klubit.

Sulmuesi francez u detyrua të priste deri në minutën e 86-të për të realizuar golin vendimtar nga pika e bardhë e penalltisë. Menjëherë pas golit, Mbappe e shfaqi hapur emocionin e tij, duke festuar me celebrimin e famshëm “siu” të Cristiano Ronaldos, gjest që u prit me entuziazëm nga tifozët në “Santiago Bernabeu”.

Pas ndeshjes, Mbappe ia dedikoi golin idhullit të tij, duke e theksuar edhe në rrjetet sociale, ku publikoi fotografi nga festa e golit së bashku me një imazh nga fëmijëria, kur kishte takuar Ronaldon për herë të parë.

“Besoni në ëndrrat tuaja. Respekt i madh për Cristianon”.

Nën këtë postim, vetë Cristiano Ronaldo reagoi duke e përgëzuar Mbappen, duke përdorur simbole që shprehnin duartrokitje dhe zjarr, si shenjë vlerësimi për arritjen e sulmuesit francez, i cili tashmë ka hyrë në histori të klubit madrilen.

Image