Hansi Flick flet për rinovimin e kontratës me Barcelonën

Hansi Flick flet për rinovimin e kontratës me Barcelonën

Sport December 20, 2025 - 14:24

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka hedhur dyshime mbi rinovimin e kontratës së tij, duke këmbëngulur se do të varet nga disa faktorë, veçanërisht nga prania e presidentit Joan Laporta pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Kontrata e Flick është e vlefshme deri në vitin 2027 dhe Barcelona po kërkon ta zgjasë atë edhe për një sezon tjetër.

Megjithatë, trajneri gjerman ka thënë se rinovimi i kontratës së tij varet nga disa faktorë dhe kjo do të kuptohet në muajt në vazhdim.

Barcelona në bisedime me Hansi Flick për rinovimin e kontratës

“Një vit e gjysmë është një kohë e gjatë për një trajner. Jam shumë i lumtur që punoj në këtë klub, me Decon dhe të gjithë stafin. Stafi im është fantastik, Deco është i pabesueshëm dhe kam një marrëdhënie të shkëlqyer me të”, ka thënë fillimisht Flick.

“Jam këtu për shkak të presidentit dhe është e rëndësishme të kem besimin e tij. Për mua, edhe një vit e gjysmë është në rregull, por gjithashtu ka rëndësi për mua nëse presidenti është ende këtu. Nëse luajmë mirë dhe kemi sukses, kjo është e rëndësishme", përfundoi trajneri gjerman.

Ndryshe, Barcelona momentalisht është liderë në La Liga me katër pikë më shumë se Real Madridi i vendit të dytë, teksa në Ligën e Kampionëve renditet në pozitën e 15-të, ku kërkon të perfundojë në top 8 nga dy ndeshjet e mbetura në fazën e ligës.