E rrahu keq Gabriel Floresin, Cordina më pranë ëndrrës për titull bote në dy pesha

E rrahu keq Gabriel Floresin, Cordina më pranë ëndrrës për titull bote në dy pesha

Sport December 14, 2025 - 09:50

Joe Cordina është një hap më pranë ëndrrës për t’u shpallur kampion bote në dy kategori të ndryshme peshe, pas një fitoreje bindëse ndaj Gabriel Flores Jr në Kaliforni, ku triumfoi me vendim unanim të gjyqtarëve.

Boksieri nga Uellsi, ish-mbajtës i titullit botëror IBF e dominoi kundërshtarin amerikan me kontroll të plotë të duelit.

Gjyqtarët e vlerësuan ndeshjen me pikë 117-110, 115-112 dhe 114-113 në favor të Cordinas, edhe pse ai ishte dukshëm më dominant sesa sugjerojnë kartelat e pikëzimit.

Ndeshja, e zhvilluar në “Adventist Health Arena” në Stockton, ishte shpallur si eliminatore finale për titullin botëror WBO në peshën “lightweight”, titull që aktualisht mbahet nga Abdullah Mason, i cili e fitoi atë në një përballje dramatike ndaj Sam Noakes në nëntor.

Cordina, 34-vjeçar, u ndëshkua me një pikë minus në raundin e gjashtë për goditje të palejuara nga mbrapa, por edhe pas këtij momenti ai e ruajti kontrollin e plotë të duelit.

“E mora fitoren, por nuk ishte pikërisht mënyra se si doja ta fitoja ndeshjen”.

“Nuk mund të vish këtu dhe të ma marrësh ndeshjen lehtë. Unë vazhdova të ushtroj presion, e shtyva drejt litarëve dhe ai nuk mundi ta përballonte ritmin”.

Kjo fitore në ‘territorin’ e Flores Jr ishte triumfi i dytë i Cordinas në kategorinë lightweight. Ai ishte rikthyer në ring pas një pauze prej 14 muajsh në korrik, kur fitoi me pikë ndaj Jaret Gonzalez Quiroz dhe rrëmbeu titullin vakant WBO Global në këtë peshë.

Cordina tani ka një rekord profesional prej 19 fitoresh dhe vetëm një humbjeje, me nëntë fitore me nokaut. Humbja e vetme erdhi në maj të vitit 2024 ndaj Anthony Cacace në Riad, ku humbi titullin e tij.

Cordina, i cili para këtij dueli në SHBA ishte i renditur i gjashti në ranglistën e WBO-së, pritet tani të ngjitet në vendin e parë dhe të bëhet sfiduesi i detyrueshëm për titullin botëror ndaj Abdullah Mason, duke iu afruar gjithnjë e më shumë objektivit për të hyrë në histori si kampion bote në dy pesha./Telegrafi