Zekirija Ramadani i sinqertë pas humbjes: Alkmaari ishte më i fortë, por Vallecano na pret

Zekirija Ramadani i sinqertë pas humbjes: Alkmaari ishte më i fortë, por Vallecano na pret

Sport December 11, 2025 - 22:12

Pas humbjes nga AZ Alkmaari, trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka vlerësuar lojën e kundërshtarit, duke pranuar se skuadra holandeze e meritoi fitoren.

Megjithatë, tekniku ka theksuar se ekipi tashmë është fokusuar te sfida e fundit e grupit, përballë Rayo Vallecanos, ku synohet një rezultat pozitiv.

“E dinim që po përballeshim me një skuadër shumë cilësore dhe efikase. U munduam të ndërprisnim aksionet e tyre, por ishte një nga rivalët më të fortë që kemi pasur në Evropë. Jam i kënaqur me përkushtimin e lojtarëve – kjo na jep shpresë për ndeshjen e radhës,” tha Ramadani.

Ai shtoi se Vallecano mund të jetë edhe më i fortë se Alkmaari, por ekipi do të punojë intensivisht në ditët e ardhshme për të shkuar në Spanjë sa më i përgatitur.

Edhe mbrojtësi Besnik Krasniqi e sheh humbjen si pjesë të procesit. Sipas tij, përkundër pritshmërive të larta, goli i shpejtë i AZ Alkmaar ndikoi në rrjedhën e ndeshjes, por kjo humbje nuk duhet të prishë atmosferën brenda skuadrës.

“E kemi ditur që do të jetë sfidë e fortë. Na penalizoi goli i parë, por luftuam deri në fund. Kjo humbje nuk duhet të na dëshpërojë – është e para në Ligën e Konferencës. Tani duhet të analizojmë gabimet dhe të përgatitemi për Spanjën. Duhet të jemi kompakt dhe të mos lejojmë shumë hapësira,” u shpreh Krasniqi.

Drita tani përgatitet për finalen e grupit ndaj Rayo Vallecanos, ku synon të mbyllë me dinjitet dhe rezultat pozitiv rrugëtimin e saj evropian.