Vendoset gur themeli në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, Kurti e Bulliqi zotohen se do të bëhet me kriteret e UEFA-s

Vendoset gur themeli në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, Kurti e Bulliqi zotohen se do të bëhet me kriteret e UEFA-s

Sport December 11, 2025 - 12:26

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në vendosjen e gur themelit në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, nga ku tha se kanë obligim të investojnë në sport, duke theksuar se stadiumi do të ndërtohet sipas kritereve të UEFA-s.

“Përveçqë e kemi obligim, besoj që është tepër e dobishme sepse investimi në sport, e veçanërisht në futboll, do të inkurajojë, do të zbulojë dhe do të ushqejë talente të reja të cilët me vitet në vijim, natyrisht, do ta ngrisin lart e më lartë futbollin e vendit tonë dhe të sportit në përgjithësi. Do të ketë stadium sipas kritereve të UEFA-s”, shtoi Kurti.

Kurti foli edhe për historikun e klubit të Llapit.

“Me rastin e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e tribunave të lindjes në stadiumin e ‘Zahir Pajazitit’ këtu në Llap, ku luan klubi futbollistik Llapi. Klubi ka një traditë të gjatë, është themeluar në vitin 1932, pra edhe pak bëhet 100 vjeç ky klub dhe ne i kemi shumë borxh për shkak se nga këtu kanë dalë yje të futbollit, e në historinë e tij më të re që e mbajmë mend edhe vetë, duhet të përmendim Fadil Vokrrin e Fazli Ramën”, tha ai.

Edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se stadiumi do të bëhet me standarde të UEFA-s.

“Një projekt i cili po krijojmë mundësinë e finalizimit të gjithë punëve në këtë stadium, për arsye se tash do ta kemi edhe mbulimin në të gjitha pjesët e stadiumit dhe është ndryshim publik që faktikisht është në standarde të UEFA-s dhe plotëson të gjitha kriteret e stadiumit të kategorisë së tretë. Besoj shumë që tashmë edhe ata të cilët do të vijnë të shikojnë ndeshjet, do të kenë kushte jashtëzakonisht të përshtatshme”, tha ai. /EO