Mesfushori i Kosovës, Lindon Emërllahu zgjedh Ukrainën - e konfirmon aksionari i klubit të Clujit
Lindon Emërllahu pritet të bëhet futbollist i Polissya Zhytomyrit, pasi palët kanë arritur marrëveshjen dhe transferimi do të zyrtarizohet pas vizitave mjekësore të hënën.
Mesfushori i Kosovës do të nënshkruajë një kontratë tejet të favorshme financiarisht, me 500 mijë euro paga vjetore, që me bonuse mund të shkojë deri në 600 mijë euro.
Lajmin e ka konfirmuar aksionari i CFR Clujit, Nelutu Varga, i cili për “Fanatik” ka bërë të ditur se oferta e klubit ukrainas ishte joshëse si për lojtarin, ashtu edhe për klubin rumun.
“Arritëm marrëveshje me Polissyën. Lindoni e pranoi sepse paga është shumë e mirë. Do të fitojë 500 mijë euro plus bonuse. Vizitat mjekësore do t’i kryejë të hënën, pastaj nënshkruan”, tha Varga, i cili shtoi se është i kënaqur edhe me seriozitetin e klubit ukrainas.
CFR Cluj do të përfitojë 1.5 milionë euro nga shitja e Emërllahut, si dhe 15% nga një transferim i ardhshëm. Kjo përbën fitim të ndjeshëm, duke qenë se klubi rumun e kishte blerë mesfushorin nga Ballkani për 700 mijë euro.
Në këtë sezon, Emërllahu ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të Clujit, me 4 gola dhe 2 asistime në 23 paraqitje, ndërsa më herët interesim për të kishte shfaqur edhe FCSB, ofertë që rumunët atëherë e kishin refuzuar. Transfersimi në Ukrainë këtë herë është pranuar.