Messi vazhdon të shkruajë historinë në MLS, e fiton çmimin si MVP për herë të dytë radhazi
Pas një sezoni në të cilin ai e udhëhoqi Inter Miamin drejt Kupës së parë MLS në historinë e klubit, Lionel Messi është shpallur Fituesi i Çmimit “Landon Donovan” për Lojtarin Më të Vlefshëm (MVP) të MLS për sezonin 2025.
Komisioneri i ligës, Don Garber, e bëri njoftimin të martën, duke kurorëzuar një sezon ku Messi shënoi 29 gola dhe dha 19 asistime në 28 paraqitje, vetëm një më pak se rekordi i Carlos Velas për kontribute gole në një sezon të vetëm (ndonëse Vela e arriti këtë në 31 ndeshje).
Messi i bashkohet legjendës së Kansas City Wizards, Preki, si i vetmi lojtar që ka fituar dy herë çmimin MVP, ndërsa Messi bëhet i pari që i fiton këtë çmim dy vite rresht.
Në moshën 38-vjeçare, Messi nuk është MVP më i vjetër në historinë e MLS – kjo arritje i takon po Prekit, i cili ishte lojtari më i vjetër i shpallur MVP në historinë e sportit profesionist në Amerikën e Veriut, kur e fitoi çmimin në moshën 40 vjeç në vitin 2003.
Në vitin 2024 kishte argumente kundër dhënies së çmimit për Messin, duke qenë se ai kishte një sezon, si i dëmtuar nga lëndimet dhe luajti vetëm në 55% të ndeshjeve të Miamit – pjesëmarrja më e ulët e një MVP në historinë e sportit profesionist në Amerikën e Veriut.
Megjithatë, më 2025 nuk pati asnjë dilemë. Messi prodhoi sezonin më të mirë të sulmit në historinë e MLS, duke qenë pika qendrore e një skuadre plot yje të Miamit.
Çmimi MVP vlerëson paraqitjet në sezonin e rregullt, por ia vlen të përmendet se Messi dhe Miami konkurruan në pesë fronte në 2025, duke vendosur rekord të MLS për numrin e ndeshjeve të luajtura në një vit kalendarik – 58.
Megjithëse Vela ende mban rekordin e kontributeve gole në sezonin e rregullt, Messi e theu bindshëm rekordin e Velas për kontribute gole në total mes sezonit të rregullt dhe fazës së play-off, me 61 përkundrejt 52.
Ai ishte veçanërisht i jashtëzakonshëm në play-off, ku shënoi gjashtë gola dhe dha shtatë asistime në gjashtë ndeshjet e rrugëtimit të Miamit drejt Kupës MLS, në të cilën u shpall edhe MVP pas një ndeshjeje me dy asistime.
Kjo vazhdoi dominimin e tij në fund të sezonit të rregullt, ku shënoi 10 gola dhe dha nëntë asistime në tetë ndeshjet e fundit.
Finalistët e tjerë për çmimin MVP të shpallur nga MLS ishin Denis Bouanga i LAFC-së, Anders Dreyer i San Diego FC, mesfushori i FC Cincinnati, Evander, dhe sulmuesi i Nashville SC, Sam Surridge.
Në një sezon tjetër, secili prej tyre do të kishte pasur një rast të fortë për të fituar çmimin. Por përballë dominimit të Messit, zgjedhja ishte e qartë.
Messi e fitoi çmimin me 70% të votave totale, të ndara mes mediave, lojtarëve të MLS dhe stafit të klubeve të MLS.
Messi mori 83% të votave nga mediat, 55% të votave nga lojtarët dhe 73% të votave nga klubet. Dreyer përfundoi i dyti me 11% të votave totale.