Napoli triumfon, mposht Juventusin 2-1

Napoli triumfon, mposht Juventusin 2-1

Sport December 07, 2025 - 23:27

Napoli tregoi forcën e tij si kampion aktual, duke mposhtur Juventusin në derbin e xhiros së 14-të me rezultatin 2-1, në përballjen e 165-të mes dy skuadrave.

Skuadra e drejtuar nga Antonio Conte, edhe pa disa prej lojtarëve kryesorë, dominoi pjesën e parë, duke krijuar shumë raste, ndërsa goli i parë erdhi shpejt.

Davis Neres asistoi për Rasmus Hojlund, që shënoi për 1-0. Juventus nuk arriti të gjuante asnjëherë drejt portës në 45 minutat e para.

Në pjesën e dytë, Juventusi u përpoq të rikuperonte dhe barazoi me Kenan Yildiz, por Napoli reagoi shpejt dhe shënoi sërish me Hojlund, pas një gabimi të McKennie.

Edon Zhegrova u aktivizua në minutën e 82, por nuk arriti të ndalte humbjen e tretë të Juventusit këtë sezon.

Kurse, kapiteni i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, u paraqit nga minuta e parë në petkun e Napolit.

Me këtë fitore, Napoli kthehet në vendin e parë me 31 pikë pas 10 fitoreve.

Tashmë, Napoli do të udhëtojë te Udinese, ndërsa Juventusi viziton Bolonjën në xhiron e ardhshme.