Kurti: Mbi 12 milionë euro për transformimin e tërësishëm të stadiumit të Prizrenit
Stadiumi “Përparim Thaçi” në Prizren po hyn në fazën më të madhe të rindërtimit në historinë e tij, pasi është nënshkruar kontrata për investimin prej mbi 12 milionë eurosh, ndërsa punët përgatitore tashmë kanë nisur.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook.
“Stadiumit do t’i shtohen tribunat veriore dhe jugore, duke e shndërruar në një nga arenat sportive më moderne në Kosovë”, thotë Kurti në postimin e tij.
Kapaciteti i tij do të arrijë në rreth 7.800 ulëse, ku tifozët e KF Lirisë dhe sportdashësit prizrenas do të kenë një ambient bashkëkohor për të mbështetur skuadrën e qytetit.
Kurti theksoi se në nivel vendi po investohen mbi 200 milionë euro në stadiume të futbollit, duke synuar që Kosova të ketë infrastrukturën më të mirë sportive në rajon.
Projekti i ri pritet të ndryshojë rrënjësisht pamjen dhe funksionalitetin e stadiumit, duke e kthyer në një qendër moderne të futbollit kosovar.