Trepça me fitore bindëse ndaj GO+ Pejës në “Karagaçi”

Trepça me fitore bindëse ndaj GO+ Pejës në “Karagaçi”

Sport December 04, 2025 - 23:14

Trepça ka dalë me fitore bindëse nga përballja e zhvilluar në palestrën “Karagaçi”, duke mposhtur GO+ Pejën me rezultat 82:67 në kuadër të xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Mitrovicasit e nisën ndeshjen me intensitet të lartë dhe nuk e lëshuan kontrollin deri në fund, pavarësisht tentimeve të vazhdueshme të vendasve për të rikthyer balancën.

Pejanët arritën disa herë ta barazonin rezultatin, por nuk patën forcë të kalonin në epërsi.

Trepça e mbylli pjesën e parë në avantazh 46:39, pasi fitoi dy çerekët e parë me rezultatet 24:18 dhe 22:21.

Në periudhën e tretë, GO+ Peja u sistemua më mirë dhe e ngushtoi diferencën duke fituar 23:18, por rënia dramatike e vendasve në dhjetë minutat e fundit u tregua vendimtare, ata shënuan vetëm pesë pikë, ndërsa Trepça realizoi 18 sosh për ta vulosur fitoren e pestë sezonale.

Nga ana e mitrovicasve, vetëm tre basketbollistë arritën shifrat dyshifrore, por mjaftuan për t’i dhënë strukturë dhe efikasitet lojës.

Seketoure Henry ishte lojtari më i spikatur me 23 pikë, katër kërcime dhe katër asistime. Chad Brown shkëlqeu me një “double-double” prej 18 pikësh dhe 13 kërcimesh, ndërsa Drilon Hajrizi kontribuoi me 14 pikë, nëntë kërcime dhe një asistim.

Te GO+ Peja doli në pah paraqitja solide e Cesare Edwards, i cili e mbylli duelin me 17 pikë dhe nëntë kërcime, por performanca e tij nuk mjaftoi që vendasit të shmangnin humbjen e dytë të edicionit. /telegrafi