Pas ndeshjes, Kurti: Sonte fitoi Drita, por festë kishte në tribuna për të gjithë tifozët
Drita ka arritur të fitojë minimalisht ndaj Shkëndijës, në kuadër të xhiros së katërt në Ligën e Konferences.
Ndeshja përfundoi me rezultat 1-0 në stadiumin “Fadil Vokrri” kurse golashënuesi ishte Arb Manaj (20’).
Pas kësaj fitoreje ka reaguar kryeministri në detyrë, Albin Kurti i cili ishte i pranishëm në stadium duke e ndjekur më afër ndeshjen së bashku me kryetarin e Gjilanit Alban Hysenin dhe atë të Tetovës Bilall Kasamin.
“Për Dritën dhe Shkëndijën, me Alban Hysenin dhe Bilall Kasamin në “Fadil Vokrri” në një mbrëmje të futbollit ndërkombëtar mes dy ekipeve shqiptare.
Komuna e Gjilanit dhe Komuna e Tetovës tashmë kanë fituar me rizgjedhjen e Albanit dhe Bilallit për kryetarë. Sonte fitoi FC Drita, por festë kishte në tribuna për të gjithë tifozët.
Urime Dritës për një tjetër fitore të rëndësishme në këtë garë! Shumë suksese të dy ekipeve në ndeshjet e radhës në Ligën e Konferencës”, ka shkuar Kurti në Facebook. /Zëri