Shkëndija akomodohet në Prishtinë, gati për sfidën kundër Dritës
Kampioni i Maqedonisë, Shkëndija e Tetovës të enjten në mbrëmje do të luajë në Ligën e Konferencës kundër Dritës në Kosovë, një ndeshje shumë me rëndësi për dy ekipet shqiptare, për garat e mëtejme në arenën evropiane, njofton Telegrafi.
Nesër zhvillohet ndeshja e javës së katërt të Ligës së Konferencës, ku Shkëndija do të jetë mysafire e Dritës së Gjilanit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Një duel me peshë të madhe sportive, por edhe emocionale, pasi përballen dy skuadra shqiptare vetëm një ditë para Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit.
Ky takim është me rëndësi të madhe për të dy ekipet që synojnë të vazhdojnë më tej në garën e tretë më të rëndësishme evropiane. Drita aktualisht ka pesë pikë dhe renditet në pozitën e 13-të, ndërsa Shkëndija ka një pikë më pak dhe mban vendin e 21-të.
Skuadra tetovare është akomoduar sot në Prishtinë dhe e pret ndeshjen në atmosferë të relaksuar dhe pozitive. Shkëndija javën e fundit pësoi humbje në kampionatin vendor nga Arsimi, ndërsa në Ligën e Konferencës iu shpëtoi fitorja nga duart në sekondat e fundit kundër polakëve të Jagiellonia-s.
Në Prishtinë, Dritës dhe Shkëndijës do t’u referojnë gjyqtarë danezë. Hedberg Reger është kryesori, ndërsa ndihmës do të jenë Deniz Yurdakul dhe Rene Risum. Gjyqtar i katërt është Lasse Gragard. Në dhomën e VAR-it do të jenë Jakob Kelet dhe Jonas Hedegard Hansen.
Ndeshja Drita – Shkëndija zhvillohet nesër me fillim nga ora 21:00, një takim që pritet të ndjeket me interes të madh, si në aspektin sportiv ashtu edhe atë vëllazëror.