Kosova mëson vazon nëse kualifikohet në Kupën e Botës
Foto: Laura Hasani

Kosova mëson vazon nëse kualifikohet në Kupën e Botës

Sport November 25, 2025 - 21:29

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka publikuar të martën vazot për shortin e Kupës së Botës 2026, që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Kosova ende mban shpresa për të arritur në Botëror. “Dardanët” do të luajë në gjysmëfinale të play-offit evropian për kualifikim. Më 26 mars, Kosova përballet me Sllovakinë në Bratislavë. 

Nëse triumfon, më 31 mars pret fituesin e ndeshjes Turqi-Rumani. Një fitore edhe në atë ndeshje do të siguronte kualifikimin historik për Kosovën.

Nëse kualifikohet, Kosova do të jetë në vazon e katërt për shortin, bashkë me fituesit e tri pla-offeve të tjera evropiane, dy ndërkontinentale dhe ekipet e Jordanisë, Kepit të Gjelbër, Ganës, Kuraçaos, Haitit dhe Zelandës së Re.

Vazoja e parë mban emra si Kanada, Meksikë, SHBA (si nikoqire), Spanja, Argjentina, Franca, Anglia, Brazili, Portugalia, Holanda, Belgjika dhe Gjermania.

Në vazon e dytë janë Kroacia, Maroku, Kolumbia, Uruguai, Zvicra, Japoni, Senegali, Iran, Koreja e Jugut, Ekuadori, Austria dhe Australia.

Sa i përket vazos së tretë, vend kanë zënë Norvegjia, Panamaja, Egjipti, Algjeria, Skocia, Paraguai, Tunizia, Bregu i Fildishtë, Uzbekistani, Katari, Arabia Saudite dhe Afrika e Jugut.

Shorti i Botërorit do të mbahet më 5 dhjetor në Washington dhe pritet të jetë një ceremoni madhështore, ku do të marrin pjesë delegacionet e të gjitha federatave të kualifikuara, por edhe atyre që janë ende në garë, përfshirë Kosovën.

Ky do të jetë edicioni i parë i Botërorit me 48 ekipe, të ndara në 12 grupe me nga katër ekipe secili. Dy të parët e çdo grupi kalojnë në 1/16 e finales, së bashku me tetë ekipet më të mira nga vendet e treta.

FIFA ka vendosur ndarjen në vazot duke marrë parasysh renditjen më të fundit në ranglistën botërore, në mënyrë që ekipet favorite të mos përballen që në fazat e para të turneut.

Kualifikimi i Kosovës, po ashtu edhe i Shqipërisë, do të përfaqësonte një arritje historike për futbollin shqiptar dhe një moment të paharrueshëm në historinë e kombëtareve tona.