Guardiola feston ndeshjen e 100 me Cityn në Ligën e Kampionëve
Manchester City do të zbresë sonte në fushë përballë Bayer Leverkusen në ndeshjen e radhës të Champions League, një duel që shënon gjithashtu ndeshjen e 100-të të Pep Guardiolës si trajner i skuadrës angleze në këtë kompeticion.
Trajneri spanjoll u shpreh me humor për këtë jubile, duke thënë se e ndjen kalimin e viteve, por edhe se është krenar që ekipi i tij ka qenë vazhdimisht pjesë e elitës evropiane. Ai theksoi se objektivi është që City të vazhdojë të mbetet mes më të mirëve edhe sezonet e ardhshme.
Guardiola e cilësoi Champions League-ën si një kompeticion unik, që i jep lojtarëve emocione të veçanta dhe i shtyn trajnerët të matin forcat me ekipet më të forta të kontinentit. Sipas tij, për klubin është i rëndësishëm jo vetëm aspekti sportiv, por edhe ai i reputacionit dhe financave, të cilat lidhen ngushtë me suksesin në Europë.
Ai pranoi se ky turne sjell shpesh më shumë zhgënjime sesa momente gëzimi, duke kujtuar se City pothuajse çdo vit ka kryesuar në fazën e grupeve, përjashtuar sezonin e kaluar me formatin e ri, të cilin ai e quajti një eksperiencë të vlefshme.
Në përfundim, Guardiola theksoi se rruga në Champions nuk ka qenë asnjëherë e thjeshtë për të dhe për skuadrën, por është pjesë e karakterit dhe identitetit që ata kanë ndërtuar ndër vite. Ai nënvizoi se rëndësi ka që ekipi të përjetojë çdo moment të këtij rrugëtimi.