"Rikthim i papritur, por jam rritur në këtë klub" - fjalët e para të Afrim Tovërlanit si trajner i Prishtinës

Sport November 25, 2025 - 20:37

Afrim Tovërlani ka nisur zyrtarisht punën te FC Prishtina, ndërsa klubi sot e ka konfirmuar rikthimin e tij në stolin e klubit më të madh në vend.

Trajneri, i cili ka fituar gjithçka me Prishtinën në të kaluarën, ka treguar se si erdhi deri te vendimi për t’u rikthyer në krye të ekipit.

“Ky rikthim ndoshta nuk ishte i pritshëm për momentin, por të gjithë e dimë që trajnerët gjithmonë janë me valigje në duar. Pas lejes nga kryetari i FFK-së, me të cilin bisedova, dhe konsultimeve me bashkëpunëtorët e mi dhe lojtarët, vendosa të kthehem te Prishtina — klub ku kam kaluar pjesën më të madhe të jetës dhe ku jam rritur", deklaroi Tovërlani.

Ai foli gjithashtu për kampionatin dhe objektivat për këtë sezon:

“Liga këtë sezon është goxha e balancuar. Nuk dëshiruam të flisnim shumë tani, por të punojmë. Shpresoj që me tifozët dhe qytetarët e Prishtinës të arrijmë sa më shumë për atë që ky klub e meriton” përfundoi ai.

Nuk duhet të harrojmë se Prishtina është lider me 26 pikë, tre më shumë se ndjekësit më të afërt.